Arrin taksa e re e pronës, do të paguajmë më shumë apo më pak?!

Shpërndaje
Nga 1 janari 2026 do të dyfishohen detyrimet e taksës së ndërtesës për shtëpitë e dyta. Ministria e Financave pohon se me draftin e ri detyrimet për pronarët e shtëpive të parë do të ulen, pasi formula e re do të zbresë gjysmën e vlerës së taksueshme, sipas modelit të vendeve të rajonit.
Por për drejtuesit e Institutit të Bashkive, nga 2026 familjet dhe bizneset do të paguajnë më tepër taksë, pasi detyrimi do të llogaritet mbi një vlerë prone të rritur.
Aplikimin e zbritjes ekspertët e konsiderojnë “kurth” për të mos trembur taksapaguesit. Por shtimi i detyrimeve nis që këtë vit me hyrjen në fuqi të çmimeve të reja të referencës. Pronarët e apartamenteve do të paguajnë deri 74% më tepër dhe bizneset deri në 91%.

Pronarët e apartamenteve, dyqaneve, garazheve, bodrumeve, fabrikave nga ky vit do të nisin të paguajnë më tepër për taksën e ndërtesës. Detyrimet do të shtohen nga shtrenjtimi i çmimeve të referencës së apartamenteve mbi të cilat llogaritet vlera e taksës.

Por pagesat për taksën e ndërtesës do të vijojnë të shtohen sërish edhe nga 1 janari 2026, për familjet dhe biznesin sipas ekspertëve të pushtetit vendor, pasi do të rritet vlera e pronës mbi të cilat llogaritet taksa dhe niveli i taksimit.

Por me ndryshimet e reja ligjore ata që do të paguajnë më shumë sipas burimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë janë pronarët që kanë një shtëpi të dytë, pasi për çdo familje që zotëron vetëm një shtëpi drafti parashikon zbritje 50% të vlerës së pronës, por jo më shumë se pragu maksimal i përcaktuar sipas kategorive të bashkive.

Për Tiranën pragu i pataksueshëm i vlerës së shtëpisë do të jetë deri në 4,5 milionë lekë. Zbritja e patatueshme nuk do të zbatohet të shtëpitë e dyta të cilat do të ngarkohen me dyfishin e detyrimeve.

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i publikuar te konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe ekonomisë rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare, ku synohet t’u afrohen vlerës së tregut.

Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri 0,25%.

Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat dhe kategoritë, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028.

Referuar draftit të ri neni 8, përcakton një zbritje nga vlera e banesës së parë të të gjithë individëve, në një shumë të barabartë me 50% të vlerës së banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i përcaktuar për 4 kategori të bashkive. Në Tiranë pragu maksimal i zbritshëm do të jetë 4,5 milionë lekë.

Për bashkitë si: Berat, Bulqizë, Dibër, Divjakë, Durrës, Elbasan, Fier, Gramsh, Gjirokastër, Himarë, Kamëz, Kavajë, Korçë Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Përrenjas, Pogradec, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Vlorë, Vorë do të jetë 3 milionë lekë.

Belsh Cërrik Delvinë Devoll Dimal Dropull, Finiq, Has, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Kuçovë, Libohovë, Maliq, Mallakastër, Patos, Peqin, Përmet, Poliçan, Pukë, Pustec, Roskovec, Selenicë, Skrapar, Tepelenë Tropojë dhe Vau i Dejës pragu i pataksueshëm i vlerës së shtëpisë do të jetë 1,5 milionë lekë. Pragu maksimal për bashkitë, Fushë Arrëz dhe Memaliaj do të jetë 750 mijë lekë.

Formulën e re të llogaritjes së vlerës së taksës së apartamenteve, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e mbështet edhe nëpërmjet një shembulli që shpërndau për grupet e konsultimit.

Shembulli llogarit barrën fiskale për një pronar apartamenti me sipërfaqe 70 m2, ku çmimi mesatar i zonës ku ndodhet vlerësohet të jetë 1,250 euro për metër katror.

Vlera e shtëpisë është 87,500 euro. Formula e re parashikon që vlera e patatueshme për Tiranë të jetë 4,5 milionë lekë. Në këtë rast në vlerë zbritja është 40,178 euro (e llogaritur me kursin e këmbimit 112 lekë). Ndërsa vlera e tatueshme e shtëpisë është 44,872 euro. Dyshemeja e takës do të jetë 0,1% dhe taksa për t’u paguar 44,8 euro në vit.

Taksa për të paguar në Bashkinë e Tiranës (44,8 euro) sipas Ministrisë së Financave është e barabartë me 36 litra naftë apo një drekë familjare. “Më pak se sa duhet të paguajë taksa një pronar makine për një makinë mesatare në Shqipëri. Do të përbëjë rreth 1% të pagës minimale vjetore neto dhe shumë më pak se 1% të pagës mesatare vjetore neto”, sipas shembullit që sjell Ministria e Financave.

Ndërsa me nivelin e ri të taksë prej 0,1% një familje që zotëron një shtëpi të dytë, duke llogaritur vlerën e shtëpisë me çmimin fiskal 1,250 euro për metër katror (vlerë që merr Financa për shembull) do të paguajë në vit 87,5 euro apo 9,187 lekë në vit.

Me nivelin aktual të taksës 0,05% për një apartament me sipërfaqe 70 m2 e llogaritur me çmimin fiskal prej 1,250 euro për metër katror do të paguante 4,593 lekë në vit. Detyrimi për t’u paguar pas 1 janarit 2026 do të jetë dyfish më i lartë.

Agron Haxhimali drejtori ekzekutiv i Institutit të Bashkive të Shqipërisë e cilëson zbritjen e vlerës së pataksueshme si “kurth” për të mos trembur taksapaguesit. “Zbritje sipas kategorizime dhe vlerave nuk më thonë asgjë, sepse mendoj se janë “kurthe” për të mos “trembur” taksapaguesit.

Nga ana tjetër krijojnë ndërlikime të kota administrative, prishin thjeshtësinë në zbatim. Ligjet hartohen sa më të thjeshta dhe të kuptueshme për qytetarët së pari dhe institucionet zbatuese.

Pra këto zbritje nuk e zhbëjnë as vullnetin politik për të shkuar në taksimin me vlerë të pronës dhe kurrsesi nuk çojnë në pagesa më të ulëta as për një kategori taksapaguesish dhe kategori pronash”.

Z. Haxhimali pohoi për Monitor se nga 2026 për taksën e ndërtesës do të vijojnë të paguajnë më tepër si familjarët dhe bizneset pasi taksa do të llogaritet mbi një vlerë prone të rritur.

“Së pari është pozitive që konsultime të tilla, që kanë ndikime te qytetarët dhe bizneset, hidhen për konsultim publik në kohë të mjaftueshme para miratimit dhe hyrjes në fuqi për zbatim.

Së dyti, lidhur me përmbajtjen e draftit, dua të them se prezanton më shumë paqartësi qoftë në frymë qoftë në germë dhe elementë të tjerë që lidhen me teknikën e hartimit të projektligjeve dhe ligjeve. Por këto kanë kohë për t’u korrigjuar.

Marrë në konsideratë sa më sipër projektligji nuk sjell asgjë më shumë sesa një testim të opinionit publik dhe rrymave politike mbi pranueshmërinë e këtyre ndryshimeve. Por nga ana tjetër e marr të mirëqenë që ky projektligj do të kalojë, pavarësisht “manovrave” për zbritje të vlerave të banesave.

Për çdo kategori, si qytetar dhe bizneset do të paguajnë më shumë dhe kjo është e natyrshme sa kohë që vlera e pronave konsiderohet e rritur. Gjithashtu qëndron edhe vullneti politik i maxhorancës për të rritur taksën dhe buxhetet bashkiake pritet të arkëtojnë me “shumë” para. Drafti i ri është instrumenti për të përmbushur qëllimin e qeverisë”, thekson Haxhimali.

Modeli rajonal që do zbatohet edhe në Shqipëri

Sipas relacionit të projektligjit “Për Taksën e Pasurisë”, Ministria e Financave pohon nuk është bazuar në një model të vetëm, pasi ai reflekton praktikat më të mira të vendeve të ndryshme.

Për aspekte të ndryshme të ligjit Financat shpjegojnë se janë bazuar në praktikat e vendeve të zhvilluara, ku përsa i përket vlerësimit bazuar në vlerën e tregut i jemi referuar modelit suedez ashtu si dhe lidhur me propozimet për instrumente të caktuara në ligj siç është zbritja për banesën e parë janë referuar vendeve që i kanë zbatuar dhe kanë rezultuar të suksesshme.

“Taksimin bazuar në vlerën e tregut e aplikojnë të gjitha vendet e rajonit. Ndërkohë që rajoni aplikon për shumicën e pronave një nivel të shkallës së taksës, në projektligji janë parashikuar nivele të ndryshme të shkallës së taksave për kategori të ndryshme të pronave”, citohet në relacion.

Në Serbi shkallë e taksës për shumicën e pronave është 0,4%, ndërsa vlera e zbritshme, pra e pataksueshme është 30%. Në shembujt e Ministrisë së Financave llogaritet që për një apartament në Beograd me sipërfaqe 70 m2, ku vlera e shtëpisë është 165,550 euro e llogaritur me çmim 2,365 euro për metër katror, pasi zbritet vlera e pataksueshme prej 115,885 euro. Taksa vjetore është për vlerën e mbetur të shtëpisë prej 49,665 euro është 198,6 euro në vit.

Në Maqedoninë e Veriut aplikohet zbritja për shtëpinë e parë sa 50% e vlerës. Taksa është 0,1% e vlerës. Për një apartament në Shkup me sipërfaqe 70m2 me çmim 1,650 euro për metër katror detyrimi vjetor për taksën është 57,8 euro në vit.

Edhe në Malin e Zi aplikohet zbritja për shtëpinë e parë 50% e vlerës. Taksa është 0,25% e vlerës së shtëpisë. Për një apartament në Podgoricë me sipërfaqe 70m2 me çmim 1,360 euro për metër katror detyrimi vjetor për taksën është 119 euro në vit.

Në Prishtinë gjithashtu sipas Ministrisë së Financave aplikohet zbritja për shtëpinë e parë. Këtu është niveli më i lartë me 80% e vlerës. Taksa është sa 0,15% e vlerës. Për një apartament në Kosovë me sipërfaqe 70m2 me çmimin 1,180 euro për metër katror detyrimi vjetor për taksën është rreth 102 euro në vit.

Për Tiranën vlera e apartamenti me sipërfaqe 70 m2, ku çmimi mesatar i zonës ku ndodhet vlerësohet të jetë 1,250 euro për metër katror është 87,500 euro. Taksa e re për shtëpitë është propozuar të jetë 0,1% e vlerës, ndërsa zbritja për shtëpinë e parë 50%. Detyrimi për t’u paguar sipas Financave është 44,8 euro në vit.

Si do të përcaktohet çmimet e reja të tregut?

Drafti i ri për llogaritjen e taksës së ndërtesës qëllim kryesor ka llogaritjen e detyrimit mbi vlerat e tregut të ndërtesës apo të dyqanit.

Vlerën e pronës që do të taksohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon sërish ta llogarisë mbi çmime mesatare referuese për metër katror, por tashmë jo të ndarë në 32 zona kadastrale sa janë aktualisht në Tiranë, por në më tepër zona dhe nënzona.

Për ndërtimin e metodologjisë së re për llogaritjen e taksës së ndërtesës dhe përcaktimin e çmimeve mesatarë me vlerë tregu, sipas burimeve të Ministrisë së Financave do të kryqëzohen një sërë të dhënash.

Së pari do të jenë vlera e shtëpive e deklaruar nga qytetarët në dosjet e pronësisë të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Reforma për dixhitalizimi e kartelave të pronësisë pritet të përfundojë më 2024, ku tashmë rezulton se ka përfunduar në 3 rajone dhe do të shërbejë si baza kryesore e të dhënave.

Projekti synon dixhitalizmin e plotë të kartelave të pasurive të paluajtshme dhe skanimi i referencave me qëllim automatizimin e shërbimeve, përditësimin e të dhënave dixhitale të kartelës dhe hartës treguese të regjistrimit, do të garantojnë informacionin e regjistruar për të gjitha pasuritë në Shqipëri.

Me implementimin e tij sipas vendimit të botuar në mars 2023 në Fletoren Zyrtare do të dixhitalizohen të dhënat kadastrale për rreth 3,187,000 pasuri dhe skanimi i rreth 2,252,000 dosjeve. Fondi i vënë në dispozicion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për zbatimin e projektit të dixhitalizimin e kartelave të 3,1 milionë pasurive të paluajtshme është 4,5 milionë euro. Reforma nisi zbatimin nga korriku i këtij vit.

Më pas do të vijojë zbatimin projekti për lokalizmin e banesave që do të orientojë institucionet shtetërore për vlerësimin e çmimeve të apartamenteve në terren në ndërtesa konkrete, si dhe duke kryqëzuar të dhënat e çmimeve të apartamenteve edhe nga agjencitë e pasurive të paluajtshme.

Mbi referencën e një sërë të dhënash që do të regjistrohen në kadastrën e taksës së pasurisë do të përcaktohen çmimet e reja mestarë referuese mbi të cilat do të llogaritet taksa e ndërtesës, tashmë e propozuar me vlerë të rritur.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Bashkive të Shqipërisë Agron Haxhimali pohon se taksimi i pronave të çdo lloji me vlerën e tregut është taksimi më i drejtë, por kur zbatohet dhe vlerësohet saktë, si dhe kur administrata publike ka të gjithë mekanizmat për të bërë të drejtë vlerësimin.

Nga rritja e taksës pritet dyfishim të ardhurash; A do të arrijë të grumbullohet?!

Në rang vendi sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat nga taksa e pronës për vitin 2022 janë në vlerën e 6.1 miliardë lekë. Arkëtimet zënë 0,34% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Arkëtimet e Shqipërisë janë në nivelet e vendeve me të ardhura të ulëta që zënë 0,3% të PBB-së, kurse në vendet me të ardhura të mesme arrijnë 0,6% të PBB-së. Krahasuar me vendet e rajonit ky është niveli më i ulët. Në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Malin e Zi arkëtimet e taksës së pasurisë zënë 0,8% të PBB-së. Në vendet e OECD-së 1,1%. Në SHBA, Angli dhe Kanada arkëtimet arrijnë 2,5% deri në 3% të PBB-së.

Në Tiranë arkëtimet nga taksa e ndërtesës për vitin 2022 sipas Financave janë 30 milionë euro në vit. 7 milionë euro zënë arkëtimet nga familjarët dhe 23 milionë euro nga bizneset. Burime nga Financat bëjnë me dije se parashikohen që të ardhurat të dyfishon duke arritur në nivelin e 12 miliardë lekë (110 milionë eurove), ku pjesa dërmuese e tyre do të arkëtohet nga familjet.

Së pari rritja e të ardhurave, nga parashikimet që bën, ministria do të ndikohet nga ndryshimi i referencës së çmimeve mesatare. Rritje të arkëtimeve 20 deri 30% pritet të ketë nga përfshirja në pagesa të ndërtesave të legalizuara, ku pjesa më e madhe e tyre nuk paguajnë, pasi nuk i kanë të regjistruar pronat në kadastrën fiskale dhe nuk kanë kontrata të lidhura me ujësjellësit.

Rritja e arkëtimeve parashikohet të vijë edhe nga përfshirja në pagesë të pallateve pa hipotekë dhe përfshirja në taksim e parcelave, si bujqësore dhe truall.

Ndërsa në relacionin e draftit përcaktohet se nga rritja e taksës, të ardhurat do të arrijnë 0,7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto që llogariten në një vlerë prej 21 miliardë lekë (200 milionë euro). Sakaq këto parashikime për grumbullimin e taksës, Ministria e Financave llogarit t’i arkëtojë për një periudhë afatgjatë.

Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive thekson se rritja e nivelit të taksës do të ulë aftësinë paguese nga popullata, gjë që po ndodh edhe aktualisht.

“Parimisht kur projekton rritje taksash do të kesh edhe rritje të ardhurash. Edhe pse dyshimet në këtë aspekt dua t’i lidh me faktin dhe praktikën aktuale.

Sot zbatohet metodologjia e taksimit të pronës me çmim reference siç përcakton VKM nr.142/2018. Ky është një akt i mirë dhe u jep të drejtë bashkive të identifikojnë të pasurit dhe t’i taksojnë.

Por edhe pse me një nivel të tillë taksa e pasurisë arriti të sigurojë të ardhura për 61 bashkitë deri 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, tregon se taksa nuk është paguar. Arsyet janë të shumta. Mendoj se një nga arsyet është niveli i ulët i aftësisë paguese në raport me nivelin e dëshirës për të paguar.

Dilema ime është: Kur sot nuk paguajnë me këtë shkallë taksimi, nesër që do të kemi një shkalla taksimi më të lartë, a do të jetë taksapaguesi më i gatshëm të paguajë?

Apo ai që ka paguar pak paguan dhe shumë, dhe ai që s’ka paguar as pak s’do të paguajë as shumë? Kemi nevojë për një shkundje në ndërgjegjësimin politik, institucional dhe qytetar”, pohon ai.

Por Ministria e Financave në draft parashikon një sërë seksionesh për ata që nuk paguajnë taksën që do të garantojnë grumbullimin e saj.

Parashikohen sanksione që nga vendosja e gjobave deri në mosdhënien e shërbimeve nga pushteti vendor nëpërmjet platformës së unifikuar të shërbimeve vendore, një projekt që pritet të finalizohet në vijim.

Z. Haxhimali sugjeron se është e domosdoshme që para miratimit të draftit të analizohen një sërë rreziqesh për grumbullin e kësaj takse, pasi çdo reformë apo ndërhyrje ligjore që ndikon te jeta e qytetarëve kërkon maturi dhe profesionalizëm me qëllim që vullneti politik të marrë drejtim të mirë publik.

“Rreziqet që duhen analizuar dhe konsoliduar fuqishëm janë disa, si: Kuadri legjislativ dhe rregullator; Çështjet e vlerësimit: Përcaktimi i vlerës së saktë dhe të drejtë të tregut të pronave; Disponueshmëria e të dhënave. Qasja në të dhëna të besueshme dhe gjithëpërfshirëse të pronës është thelbësore për reformat e tatimit në pronë.

Rezistenca ndaj ndryshimit: Reformat e tatimit në pronë shpesh përballen me rezistencë nga pronarët e pronave të cilët mund të jenë të shqetësuar për rritjen e mundshme të taksave. Kapaciteti administrativ: Zbatimi i reformave të tatimit në pronë kërkon personel administrativ të pajisur mirë dhe të trajnuar me programe teknologjie dhe infrastrukturën e nevojshme. Ndërgjegjësimi dhe edukimi i publikut.

Evazioni fiskal dhe Informaliteti: Reformat e tatimit mbi pronën duhet të trajtojnë çështjet e evazionit fiskal dhe pranisë së tregjeve informale të pronave.

Transaksionet joformale të pronës dëmtojnë ndjeshëm efektivitetin e sistemeve të tatimit në pronë. Konsiderata ekonomike dhe sociale:

Reformat e taksës së pronës duhet të vendosin një ekuilibër ndërmjet gjenerimit të të ardhurave për bashkitë dhe marrjes parasysh të ndikimeve ekonomike dhe sociale tek poseduesit e pronave. Rezistenca politike: Reformat e tatimit mbi pronën shpesh përfshijnë ndryshime në strukturat ekzistuese tatimore, normat ose vlerësimet, të cilat mund të jenë politikisht të ndjeshme. Sa më shumë konsensus për të gjitha sa më sipër aq më mirë shkojnë gjerat në interesin publik”, përfundon ai.

 

Burimi: Ministria e Financave

 

Shtëpitë e legalizuara si do taksohen

Detyrimet e taksës së pronës nga regjistrimi në kadastër të pronave të legalizuara parashikohen të shtohen nga 20 deri 30%. Por si do të vlerësohet vlera e tregut pët këto prona mbi të cilën do të aplikohet taksa?

Agron Haxhimali thotë se drafti i ri parashikon vetëm që vlerësimi për sipërfaqen e taksueshme do të përcaktohet nga bashkitë.

“Fillimisht të gjithë poseduesit dhe pronarët që nuk i kanë regjistruar pasuritë e tyre të paluajtshme në Regjistrin Kadastral, duhet t’i regjistrojnë këto pasuri të paluajtshme në Kadastrën Fiskale, apo dhe se për efekt të detyrimit për pagimin e taksës nga taksapaguesit,

Struktura e Taksave Vendore në Bashki, për dokument pronësie njeh vërtetimin e pronësisë, vendimet e organeve përgjegjëse për kthimin dhe kompensimin e pronave, vendimet e privatizimit ose dokumentet e tjera, të lëshuara nga organet përkatëse shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Dhe se në rastin e mungesës së dokumenteve të pronësisë, Struktura e Taksave Vendore në Bashki vendos madhësinë e sipërfaqes së taksueshme, bazuar në vendimin e komisionit të verifikimit të pasurisë së paluajtshme.

Bashkitë ngrenë komisionin e verifikimit të pasurisë së paluajtshme, në rast mungese të dokumentacionit ligjor për vërtetimin e pronësisë. Pra të gjitha këto parashikime çojnë në faktin se taksa është për objektin dhe poseduesi, duhet ta paguaj sipas vlerësimit nga bashkia. Por gjithsesi shpresojmë që të kemi më në fund një herë zero ndërtimi pa leja”.

Kur do të nisë zbatimin VKM-ja e re?

Ndryshimet e barrës fiskale për taksapaguesit do të jenë për periudhën e mbetur të vit, pasi VKM për ndryshimet e çmimeve të referencës parashikon hyrjen në fuqi të menjëhershëm të saj pas publikimit në Fletoren Zyrtare.
Por a është e nevojshme të mblidhet këshilli Bashkiak i Tiranës për miratimin e shtimit të barrës fiskale për taksapaguesit për periudhën e mbetur të vitit?

Nëse nuk është e nevojshme të mblidhet këshilli bashkiak, si do të veprojë DPTTV (struktura e taksave vendore) për zbatimin e saj, duke qenë se hyn ne fuqi pas botimit ne fletoren zyrtare? Për këto pyetje Monitor kontaktoi nëndrejtorin e DPTTV-së së bashkisë Tiranë z. Kujtim Nanaj i cili pohoi se për zbatimin e VKM-së janë në pritje të akteve ligjore.

Sipas ekspertëve pritet të ketë reagime nga taksapaguesit, sidomos nga bizneset, lidhur me zbatimin e çmimeve të reja në këtë periudhë të vitit, duke u shtuar një këst më tepër nga detyrimi që tashmë kanë paguar. Sipas parashikimeve ligjore nga bizneset taksa paguhet në dy këste ose vjetore.

Afati i pagesës së parë është deri në fund të muajit qershor. Ndërsa pagesa për këstin e dytë nis në muajin shtator.

Ekspertët pohojnë se për bizneset që janë evidentuar si debitore për taksën e ndërtesës, ka filluar zbatimi i masave shtrënguese të mbledhjes me forcë të detyrimeve të papaguara dhe vendosja e sanksioneve të parashikuara në ligj, ndërsa nuk dihet se si do të veprohet me zbatimin e VKM-së të miratuar në fund të muajit korrik 2023.

A do të anulohen këto masa?

Revista Monitor

 

 

Arrin taksa e re e pronës, do të paguajmë më shumë apo më pak?!

Related Articles

No related articles
Na Kontaktoni
Keni nevojë për ndihmë?
Përshëndetje , si mund tju ndihmojmë?